Lajme

INFRAKOS priti delegacionin nga Maqedonia e Veriut, bashkëpunimi hekurudhor dhe progresi i rehabilitimit të Linjës 10

Ndërmarrja Publike “Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës – INFRAKOS” SH.A., së bashku me përfaqësues të Trainkos-it, priti sot në selinë e saj në Fushë Kosovë një delegacion nga Republika e Maqedonisë së Veriut, në kuadër të përpjekjeve për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional në fushën e transportit hekurudhor, me fokus të veçantë në funksionalizimin e Linjës 10.
Delegacioni përbëhej nga përfaqësues të Hekurudhave të Maqedonisë së Veriut – Infrastruktura dhe të Hekurudhave të Republikës së Maqedonisë së Veriut – Transport SH.A. Të ftuarit u pritën nga Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve, z. Getuar Zogu, Kryeshefi Ekzekutiv, z. Bujar Jupaj, dhe përfaqësues të Menaxhmentit Ekzekutiv të INFRAKOS-it dhe Trainkos-it, si dhe nga përfaqësues të Njësisë për Zbatimin e Projektit (PIU) dhe Mbikëqyrësi i Projektit.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë dhe modalitetet e bashkëpunimit për transportin e mallrave në Linjën 10 hekurudhore, pas përfundimit të punimeve dhe vënies së saj në qarkullim.
Kryeshefi Ekzekutiv i INFRAKOS SH.A., z. Bujar Jupaj, shprehu përkushtimin dhe angazhimin për përshpejtimin e të gjitha përpjekjeve institucionale, me synim që Linja 10 të hapet së shpejti për qarkullim.
Pas takimit, delegacionet zhvilluan një vizitë në terren përgjatë Linjës 10 hekurudhore, nga Fushë Kosova deri në Han të Elezit, në kufirin me Maqedoninë e Veriut, ku nga afër u njohën me gjendjen dhe ecurinë e punimeve në këtë segment të rëndësishëm hekurudhor.
Hapja e Linjës 10 pritet të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e transportit hekurudhor të mallrave, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe rritjen e lidhjeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
INFRAKOS SH.A. mbetet e përkushtuar në zhvillimin dhe funksionalizimin e infrastrukturës hekurudhore dhe në krijimin e kushteve për një transport më efikas, të sigurt dhe konkurrues.