NP. Infrakos SH.A. merr në menaxhim të plotë asetet në veri; përshpejtohet modernizimi i infrastrukturës kritike hekurudhore. Ndërmarrja Publike “Infrakos” SH.A. njofton opinionin publik se ka marrë në menaxhim të plotë të gjitha objektet dhe pronat e saj në pjesën veriore të vendit, të cilat deri më sot ishin të uzurpuara nga strukturat paralele serbe.
Sot janë vendosur shenjat dhe tabelat në stacionet në Zveçan, Leposaviq, Leshak dhe në stacionin në Sllatinë.
Ky aksion u realizua me mbështetjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Albin Kurti, të Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, Ministres së Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, Ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, z. Dimal Basha si dhe Policisë së Kosovë.
NP “Infrakos” Sh.A. shpreh falënderimin më të lartë për përkrahjen e palëkundur dhe angazhimin e tyre institucional, gjë që mundësoi shtrirjen e plotë të autoritetit ligjor mbi këto asete shtetërore.
Me këtë akt, Infrakos SH.A. përshpejton procesin për realizimin e projektit detal dhe funksionalizimin e plotë të hekurudhës në këtë zonë.
Ky segment është pjesë e Korridorit X hekurudhor, i cili kalon përmes Maqedonisë së Veriut dhe shërben si një linjë strategjike për lidhjen e rrjetit tonë hekurudhor me rrjetet ndërkombëtare.
Aktualisht, Infrakos SH.A. është duke udhëhequr një zhvillim të hovshëm të infrastrukturës kritike në tërë vendin. Ky projekt i madh strategjik do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e fuqishëm ekonomik të Kosovës, duke rritur kapacitetet tregtare, duke lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe duke e integruar vendin tonë në korridoret kryesore hekurudhore.
Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun, NP “Infrakos” Sh.A.



