Sot me datë 09.01.2025 është inauguruar një projekt shumë i rëndësishëm për sigurinë dhe zhvillimin e hekurudhave në Kosovë.Me rastin e inaugurimit Kryeshefi Ekzekutiv z. Naser Krasniqi theksoi se sot shënojmë inaugurimin e një projekti të rëndësishëm për sigurinë dhe zhvillimin e hekurudhave në Kosovë. Ky projekt, i cili përfshin instalimin e 25 laurave (kjo e sotmja është e para), përfaqëson një hap të madh drejt modernizimit dhe përmirësimit të sigurisë në kalimet hekurudhore.
Projekti është pjesë e një plani afatshkurtër, me një vlerë prej 6 milionë, financuar pjesërisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Banka Botërore – ku gjysma e fondeve vjen si grand dhe pjesa tjetër si kredi e butë. Ndërkohë, po punojmë paralelisht për sigurimin e fondeve që do të mundësojnë zgjerimin e këtij projekti në të gjitha vendkalimet kritike të Kosovës.
Transporti hekurudhor mbetet një shtyllë kyçe për zhvillimin ekonomik dhe lidhjen rajonale të vendit tonë. Për të përmbushur këtë potencial, siguria duhet të jetë prioriteti ynë absolut. Ky projekt nuk është thjesht një përmirësim infrastrukturor, por një investim në jetë dhe në mirëqenien e qytetarëve tanë.
Përmes këtij projekti, synojmë:
- Rritjen e sigurisë në kalimet hekurudhore, duke ulur rrezikun e aksidenteve.
- Instalimin e sistemeve moderne të sinjalizimit dhe mbrojtjes.
- Përforcimin e bashkëpunimit institucional për një menaxhim më efikas të transportit hekurudhor.
Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë. Falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar për ta bërë këtë nismë realitet. Angazhimi juaj nuk është vetëm teknik dhe financiar, por edhe një dëshmi e përkushtimit për zhvillimin dhe sigurinë e Kosovës.
Le të jetë ky moment, një pikënisje për përmirësime të tjera të rëndësishme në infrastrukturë dhe në sigurinë publike. Bashkë, ne mund të krijojmë një sistem hekurudhor që jo vetëm që përmbush standardet ndërkombëtare, por që është edhe një shembull për rajonin.