VIZITA E MINISTRIT TË INFRATRUKTURËS Z. ARBAN ABRASHI NË PUNISHTEN E NDËRTIMIT TË VENDKALIMIT HEKURUDHOR NË LINJËN HEKURUDHORE FUSHË KOSOVË – PEJË

Në kuadër të aksionit të ndërmarrë nga Ministria e Infrastrukturës për sensibilizimin dhe ngritjen e nivelit të sigurisë në sektorin e komunikacionin, me datën 25.07.2020 Ministri i Infrastrukturës z. Arban Abrashi me bashkëpunëtorët e vet i bëri një vizitë punishtes ku është duke u bërë ndërtimi  i vendkalimit automatik hekurudhor në kilometrin 8+696  në fshatin Grabovc në Linjën Hekurudhore Fushë Kosovë – Pejë. Ministri Abrashi u prit nga Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të    INFRAKOS-it z. Enis Berisha, nga UD i Kryeshefit Ekzekutiv z. Xhevat Ramosaj, Drejtori i Komunikacionit Hekurudhor z. Sabit Thaqi,  stafi mbikëqyrës inxhinierik i INFRAKOS-it, si dhe përfaqësuesit e N.T.Sh ”H-PROJEKT” të cilët janë duke e bërë ndërtimin e këtij vendkalimi.

Në fillim Kryesuesi i Bordi të Drejtorëve z. Berisha i shprehi mirëseardhje Ministrit Abrashi duke thënë se për INFRAKOS-in kjo vizitë është shumë e rëndësishme e sidomos kur këtu kemi të bëjmë me një projekt tepër të rëndësishëm për sigurinë e komunikacionit rrugor dhe atij hekurudhor e sidomos kur ky projekt financohet nga Ministria e Infrastrukturës.

Më pas fjalën e mori UD i Kryeshefit Ekzekutiv Z. Ramosaj i cili e falënderoj Ministrin Abrashi për interesimin e tij të vazhdueshëm për hekurudhën dhe projektet e infrastrukturës hekurudhore. Ai e njoftoj z. Abrashi se deri më tani kanë përfunduar tri vendkalime hekurudhore:

  1. 1. Vendkalimi në km 4+840  në Bardh;
  2. 2. Vendkalimi në km 19+450  në Çikatovë;
  3. 3. Vendkalimi në km 21+948  në Drenas.

Ky është vendkalimi i katërt dhe pritet që shumë shpejtë të lëshohet në funksion. Kërkesa e jonë është që Ministria të vazhdojë me financimin e këtij projekti i cili është tepër i rëndësishëm për sigurinë e komunikacionit hekurudhor dhe rrugor, andaj edhe kjo vizitë e dëshmon gatishmërinë që së bashku të bëjmë gjithçka që është e mundur për krijimin e një infrastrukture moderne hekurudhore e cila prioritet do ta ketë sigurinë, cilësinë dhe ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët tanë. Për këtë arsye kërkohet mbështetja e vazhdueshme e Ministrisë së Infrastrukturës si dhe marrja e kompetencave të plota mbi hekurudhat nga ana e kësaj Ministrie.

Pastaj fjalën e mori Ministri Abrashi i cili u interesua për rrjedhat e këtij projekti duke potencuar se ka edhe shumë vendkalime në nivel të cilat janë të pambrojtura dhe paraqesin rrezik të vazhdueshëm për sigurinë e komunikacionit. Z. Abrashi u interesua për të gjitha detajet e funksionimit të këtij vendkalimi automatik dhe u nda i kënaqur me shpjegimet e dhëna pasi që njëri ndër prioritetet  kryesore të tij është edhe ngritja e sigurisë në komunikacion dhe zvogëlimi në minimum i aksidenteve të cilat përveç dëmeve materiale kanë të bëjnë edhe me humbje të jetëve të njerëzve.

Më tej Ministri i Infrastrukturës Z. Abrashi informoj të pranishmit se ai është duke punuar dhe së shpejti pritet të themeloj një Task Forcë e cila do të merret me të gjitha çështjet e rëndësisë së veçantë e të cilat kanë të bëjnë me sigurinë e komunikacionit, zvogëlimin e aksidenteve, analizat, hartimin e politikave të mirëfillta, strategjive   dhe materialeve njoftuese dhe informuese përmes të cilave do të bëhet sensibilizimi i publikut të gjerë ashtu që numri i aksidenteve të trafikut të zvogëlohet në minimum me tendencë të eliminimit të tyre.

Për fund z. Abrashi kërkoj që në kuadër të projektit të ndërtimit të vendkalimeve hekurudhore të gjendet mundësia  e ndërtimit edhe e disa vendkalimeve të cilat janë tepër të rrezikshme siç është vendkalimi i aeroportit dhe ai afër tregut të automjeteve në linjën hekurudhore Fushë Kosovë – Prishtinë. Ministri Abrashi po ashtu e përmendi projektin e Rehabilitimit Gjeneral të Linjës së 10-të Hekurudhore duke kërkuar nga menaxhmenti angazhim maksimal për realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm. Ai shprehu gatishmërinë e tij për mbështetjen e projekteve hekurudhore të cilat janë të rëndësisë së veçantë për zhvillimin e transportit të udhëtarëve dhe atij të mallrave e sidomos në zvogëlimin e tollovive në rrugë, zvogëlimin e aksidenteve, ruajtjen e infrastrukturës rrugore dhe çka është më e rëndësishmja në ruajtjen e ambientit.