VIZITA E MINISTRIT TË INFRATRUKTURËS Z. ARBAN ABRASHI NË INFRAKOS

Me datën 07.07.2020 Ministri i Infrastrukturës z. Arban Abrashi me bashkëpunëtorët e vet i bëri një vizitë pune Infrastrukturës së Hekurudhave të Kosovës ShA – INFRAKOS. Ministri Abrashi u prit nga Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të    INFRAKOS-it z. Enis Berisha dhe nga UD i Kryeshefit Ekzekutiv z. Xhevat Ramosaj së bashku me stafin e lartë menaxhues të INFRAKOS-it.

Në fillim Kryesuesi i Bordi të Drejtorëve z. Berisha i shprehi mirëseardhje Ministrit Abrashi duke thënë se për INFRAKOS-in kjo vizitë është shumë e rëndësishme dhe vjen në një moment të duhur dhe shumë të rëndësishëm për zhvillimet aktuale brenda kompanisë duke thënë se tani mbështetja institucionale është tepër e nevojshme dhe e domosdoshme.

Ai e njoftoj Ministrin Abrashi mbi rrjedhojat e tre muajve të fundit duke e informuar atë  mbi të gjitha zhvillimet më të rëndësishme gjatë kësaj periudhe kohore  nisur nga problemet e trashëguara, gjendjen tepër të vështirë financiare të kompanisë, e deri tek një mos koordinim në realizimin e detyrave të përcaktuara. Ai potencoj se Bordi i Drejtorëve ka pasur angazhime maksimale për përmirësimi e situatës ekzistuese dhe në koordinim me menaxhmentin janë ndërmarrë dhe bërë një mori veprimesh për tejkalimin e problemeve të grumbulluara e deri te ndryshimi i qasjes të secilit punonjës të kompanisë duke e ngritur në nivelin më të lartë përgjegjësinë ndaj punës dhe transparencën maksimale ndaj institucioneve shtetërore dhe publikut.

Më pas fjalën e mori UD i Kryeshefit Ekzekutiv Z. Ramosaj i cili përmes një prezantimi të hollësishëm e njoftoj Ministrin Abrashi për historikun e zhvillimit të Hekurudhave të Kosovës që nga ndërtimi i linjës së parë hekurudhore në vitin 1874 e deri në ditët e sotme. Ai e njoftoj Ministrin Abrashi për të gjitha problemet dhe sfidat të cilat i kanë kaluar Hekurudhat e Kosovës dhe u ndal në veçanti për periudhën e zhvillimit të INFRAKOS-it që nga krijimi i kësaj kompanie pas ndarjes së Hekurudhave të Kosovës në shtator të vitit 2011 e deri më sot.

Problemin kryesor për INFRAKOS-in paraqet gjendja e vështirë financiare e kompanisë pasi që Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik që nga ndarja e deri më sot asnjëherë nuk e kanë subvencionuar mjaftueshëm        INFRAKOS-in por vetëm me një vlerë prej 600,000.00 eurosh gjë që paraqet vetëm një të katërtën e vlerës reale të kërkuar sipas kostos direkte të mirëmbajtjes së infrastrukturës për qarkullimin e trenave. Ai tha se e vetmja zgjidhje për funksionimin normal të kompanisë është që Ministria e Infrastrukturës ta bënë nënshkrimin e Marrëveshjes financiare pesëvjeçare e cila është e paraparë të nënshkruhet sipas Ligjit mbi Hekurudhat e Kosovës nr. 04/L-063 dhe po ashtu edhe me Direktivën e      BE-së 2012/34.

Një problem tjetër tepër i madh është edhe borxhi të cilin të tjerët e kanë ndaj INFRAKOS-it duke veçuar këtu TRAINKOS-in i cili ka 959,780.13 euro borxh, Telekomin e Kosovës  i cili ka 752,246.64 euro borxh dhe klientët tjerë të cilët shfrytëzojnë me qira pronën e INFRAKOS-it e borxhi i të cilëve arrin vlerën prej 2,150,956.22 eurosh. Z. Ramosaj potencoj se INFRAKOS-i ka ndërmarrë veprime konkrete për mbledhjen e borxheve dhe do të merren të gjitha veprimet ligjore për mbledhjen e borxheve të përmendura.

Për INFRAKOS-in problem shumë i madh është edhe borxhi që kjo kompani e ka ndaj administratës tatimore në vlerën prej 1,689,083.57 eurosh, ndaj furnitorëve në vlerën prej 989,988.21 eurosh dhe për tatimin në ponë në vlerën prej 158,541.31 eurosh.

Më tej Ministri Abrashi u informua edhe për zhvillimet e projektit të rehabilitimit gjeneral të linjës së 10 hekurudhore me ç’rast u konstatua se ka vonesa të konsideruara për realizimin e këtij projekti dhe se INFRAKOS-i ka ndërmarrë masa konkrete duke kërkuar nga kontraktori që të bënë hapjen e disa fronteve të punës dhe përshpejtimin e punëve ashtu që ky projekt të kryhet në afatin e paraparë.

Një çështje tjetër e rëndësishme e cila u diskutua në këtë takim ishte edhe kërkesa ndaj Ministrit Abrashi që të nënshkruhet një memorandum i mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës, INFRAKOS-it dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme përmes të cilit do të mbështetej INFRAKOS-i nga Policia e Kosovës gjatë largimit të uzurpatorëve nga prona dhe demolimi i ndërtimeve pa leje në pronën e         INFRAKOS-it.

Ministri i Infrastrukturës Z. Abrashi falënderoj përfaqësuesit e INFRAKOS-it për informatat e përgatitura dhe e bëri të qartë se problemet në këtë kompani janë të grumbulluara një kohë të gjatë dhe i inkurajoj menaxhmentin që të punojnë shumë në zgjidhjen e të gjitha problemeve. Ai tha se e kupton gjendjen e vështirë financiare të kompanisë dhe se do të punon në këtë drejtim që të zgjidhet problemi i financimit. Njëkohësisht ai kërkoj që çështja e bashkëpunimit me komuna në mbrojtjen e pronës duhet të zgjidhet shpejt dhe ai sugjeroj që të kontaktohet asociacioni i komunave për zgjidhjen e këtij problemi në nivel vendi.