VIZITA E MINISTRIT TË EKONOMISË DHE AMBIENTIT Z. BLERIM KUÇI NË INFRAKOS

Me datën 22.09.2020 Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit z. Blerim Kuçi me bashkëpunëtorët e vet i bëri një vizitë pune Infrastrukturës së Hekurudhave të Kosovës ShA – INFRAKOS. Ministri Kuçi u prit nga UD i Kryeshefit Ekzekutiv z. Xhevat Ramosaj së bashku me stafin e lartë menaxhues të INFRAKOS-it.
Në fillim z. Ramosaj i shprehi mirëseardhje Ministrit Kuçi duke e përshëndetur edhe në emër të Kryesuesit të Bordit të Drejtorëve z. Berisha i cili për momentin gjendet jashtë vendit. Z. Ramosaj e cilësoj vizitën e Ministrit Kuçi si shumë të rëndësishme duke thënë se për INFRAKOS-in është tepër e rëndësishme që Ministrit t’i shpjegohet gjendja ekzistuese e kompanisë, problemet dhe sfidat nëpër të cilat po kalon kjo kompani si dhe në veçanti situata rreth projekteve zhvillimore të cilat kanë një rëndësi vitale për sektorin hekurudhor të Kosovës por edhe më gjerë.

Fjalën pastaj e mori ministri Kuçi me ç’rast falënderoj UD të KE-së dhe tërë stafin menaxherial për pritjen që i është bërë, duke potencuar se është shumë e rëndësishme që të njihet për së afërmi me gjendjen në këtë kompani, me punën e bërë deri më tani dhe t’i diskutojnë bashkërisht hapat të cilët duhet t’i ndërmerr kjo kompani për ecje përpara.
Më pas fjalën e mori UD i Kryeshefit Ekzekutiv Z. Ramosaj i cili përmes një prezantimi të hollësishëm e njoftoj Ministrin Kuçi për historikun e zhvillimit të Hekurudhave të Kosovës që nga ndërtimi i linjës së parë hekurudhore në vitin 1874 e deri në ditët e sotme. Ai e njoftoj Ministrin Kuçi për të gjitha problemet dhe sfidat të cilat i kanë kaluar Hekurudhat e Kosovës dhe u ndal në veçanti për periudhën e zhvillimit të INFRAKOS-it që nga krijimi i kësaj kompanie pas ndarjes së Hekurudhave të Kosovës në shtator të vitit 2011 e deri më sot.
Problemin kryesor për INFRAKOS-in paraqet gjendja e vështirë financiare e kompanisë pasi që Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik (tani Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit) që nga ndarja e deri më sot asnjëherë nuk e kanë subvencionuar mjaftueshëm INFRAKOS-in por vetëm me një vlerë prej 600,000.00 eurosh gjë që paraqet vetëm një të katërtën e vlerës reale të kërkuar sipas kostos direkte të mirëmbajtjes së infrastrukturës për qarkullimin e trenave. Ai tha se e vetmja zgjidhje për funksionimin normal të kompanisë është që Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës ta bëjnë nënshkrimin e
Marrëveshjes financiare pesëvjeçare e cila është e paraparë të nënshkruhet sipas Ligjit mbi Hekurudhat e Kosovës nr. 04/L-063 dhe po ashtu edhe me Direktivën e BE-së 2012/34.

Një problem tjetër tepër i madh është edhe borxhi të cilin INFRAKOS-i e ka ndaj administratës tatimore, Komunave për tatimin në pronë dhe furnitorëve tjerë, dhe se vlera e këtij borxhi arrin në 2.7 milion euro. Kjo nënkupton se duhet të gjendet një zgjidhje sepse nëse vazhdohet kështu rrezikohet bllokimi i xhirollogarisë në çdo moment. Pas diskutimeve dhe sqarimeve të dhëna se pse ka ardhur deri te ky borxh dhe cilat janë mënyrat e funksionimit pa problem të Kompanisë, Ministri Kuçi u zotua që shumë shpejt do të takohet me Ministrin e Infrastrukturës për gjetjen e mundësisë për nënshkrimin e Marrëveshjes Financiare Pesëvjeçare me INFRAKOS-in e cila marrëveshje është e paraparë me Ligjin mbi Hekurudhat dhe Direktivat e BE-së.

Më tej Ministri Kuçi u informua edhe për zhvillimet e projektit të rehabilitimit gjeneral të linjës së 10 hekurudhore përfshirë këtu të tria fazat e realizimit të këtij projekti. Ministri Kuçi pati disa pyetje mbi procesin dhe mbarëvajtjen e punëve të këtij projekti dhe projektet tjera zhvillimore. Pas sqarimeve të dhëna nga UD i KE-së, Ministri Kuçi vazhdoj vizitën e tij në punishten e stacionit Hekurudhor të Miradisë ku u prit nga përfaqësuesit e kompanisë punëkryese GCF, kompanisë mbikëqyrëse të projektit HILL dhe Njësisë për Implementimin e Projektit të INFRAKOS-it.
Për detajet e zhvillimeve të këtij projekti madhorë (Rehabilitimit Gjeneral dhe Modernizimit të fazës së parë Fushë Kosovë – Hani i Elezit) u informua nga Udhëheqësi i Njësisë për Implementimin e Projektit z. Isufi i cili e informoj Ministrin Kuçi me të gjitha rrjedhat e projektit që nga fillimi i punëve e deri më tani, përfshirë këtu sfidat nëpër të cilat është kaluar deri më tani dhe pritshmërinë për realizimin e tij.
Në fund të kësaj vizite Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit z. Kuçi falënderoj përfaqësuesit e INFRAKOS-it për informatat e përgatitura dhe e bëri të qartë se problemet në këtë kompani janë të grumbulluara një kohë të gjatë dhe i inkurajoj menaxhmentin që të punojnë shumë në zgjidhjen e të gjitha problemeve. Ai tha se e kupton gjendjen e vështirë financiare të kompanisë dhe se do të punon në këtë drejtim që të zgjidhet problemi i financimit. Ndërsa po ashtu ishte i qartë në kërkesën e tij që projekti i linjës së 10-të hekurudhore të realizohet me kualitet dhe cilësi të lartë duke kërkuar kështu angazhim maksimal nga të gjitha palët për realizimin e suksesshëm të këtij projekti.