Nënshkruhet kontrata për rehabilitimin e hekurudhës Fushë Kosovë – Hani i Elezit

Është nënshkruar kontrata komerciale ndërmjet Infrakos-it dhe Generale Construzioni Ferrovarie, për rehabilitimin e linjës së 10-të hekurudhore, segmenti Fushë Kosovë – Hani i Elezit, investim i cili kap shifrën 210 milionë euro.

Kryeshefi ekzekutiv i Infrakos, Agron Thaçi, tha se se rehabilitimi i kësaj linje do të mundësojë lëvizje më të lehtë të qytetarëve, por edhe të mallrave. Po ashtu, ai bëri të ditur se javën tjetër do të lansojnë edhe projektin tjetër prej 40 kilometra dhe deri në fund të vitit 2020 sipas tij do të jenë të përfunduara mbi 100 km hekurudhë.

Kryeshefi z. Thaçi potencoi; për këtë ditë kemi punuar shumë dhe pretendojm të kemi një linjë e cila do të jetë linjë modern që i plotëson të gjitha kriteret e Bashkimit Europian  dhe e cila linjë do të mundësojë që të përmbushen kriteret e interoperabilitetit, kriteret e kontrollit të trafikut hekurudhor si dhe do të kemi një sistem europian të menaxhimit të përgjithshëm të trafikut.

Kryeshefi Ekzekutiv tha se ky projekt nuk është vetëm pë Kosovën por  më i gjerë, edhe vet pjesëmarrëja e financimit e tregon që është projekt rajonal, që do të këtë efekt jo vetëm në ekonominë dhe mirëqenien tonë por edhe në atë të rajonit. Me realizimin e këtij projekti do të perfitojnë të gjitha fushat në aspektin social mjedisor dhe do të kemi një shpejtësi me të mirë të trenave në aspektin e sigurisë”.

Ai shtoi se i kemi marrë të gjitha masat që të kemi siguri të lartë në vendkalime , me mbojtëse të barrierava por edhe me sistemet europiane. Javës e ardhshme do të lansojmë edhe projektin prej 40 kilometrave dhe të gjitha parametrat na tregojnë qe në vitin 2021 me se largu ne do t’i kemi të përfunduara afërsisht 100 kilimotera, do të vazhdojmë edhe me pjesën e Podujevës të cilën jemi duke e projektuar dhe dizajnuar dhe në korrdinim me Qeverine e Kosovës ta gjejm burimin e financimit në menyrë që të kemi një lidhje edhe me të shkurt me Koridorin 10.

Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se e mira e kësaj pune është se do të ketë vende të punës dhe gjenerim ekonomik.

Haradinaj u shpreh se Hekurudhat kanë edhe dy seksione të tjera të nevojshme, ku tha se për ato së shpejti do të ketë nënshkrime të kontratave.

Ai deklaroi, se për këto seksione puna do të ndodhë më shpejt dhe se në pranverë të vitit 2021 jo vetëm që do të jetë i përmbyllur seksioni nga Fushë Kosova deri në Han të Elezit, por do të jenë të përfunduara edhe deri në Merdare.

Kryeministri potencoi se do të ishte një lajm i gëzueshëm nëse do të kishte një hekurudhë që do të lidhte Kosovën me portin e Durrësit, për të cilën tha se për fat të keq kur është bërë autostrada nuk është menduar për trasenë e hekurudhës.

Ndërsa, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, deklaroi se nga sot do të fillojë implementimi i projektit prej 210 milionë euro, ku me këtë investim trenat mund të zhvillojnë shpejtësi prej 150 kilometra në orë.

Ndërkaq, Luigi Brusa, shef i Sektorit nga Seksioni i Bashkëpunimit i Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, tha se janë duke nisur një udhëtim së bashku, i cili do të zhvillohet në tri faza dhe se me këtë ata janë duke bashkuar njerëz.

Rehabilitimi i kësaj linje, që pritet të përfundojë brenda 24 muajve, u tha se do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit, ndërkohë që gjatë punimeve në këtë linjë do të krijohen edhe vende të reja të punës.