MBAHET TAKIMI KONSULTATIV PËR EKSPOZEUN E RRJETIT PËR VITIN 2021

Njëri ndër dokumentet kryesore të Infrastrukturës së Hekurudhave të Kosovës ShA – INFRAKOS është Ekspozeu i Rrjetit përmes të cilit bëhet rregullimi i ofrimit të të gjitha shërbimeve për operatorët e transportit hekurudhor të udhëtarëve dhe mallrave. Ngjashëm me vitet e kaluara edhe këtë viti INFRAKOS-i ka bërë hartimin e Ekspozeut të Rrjetit për vitin 2021 të cilin muaj më parë ua kishte dërguar të gjitha palëve të interesit për konsultim.

Prandaj, në mënyrë që ky dokument ndër më të rëndësishmit për INFRAKOS-in të ketë vlerën e duhur dhe të mund të zbatohet pa problem gjatë vitit 2021, me datën 19.06.2020 u mbajt takimi konsultativ ndërmjet përfaqësuesve të Infrastrukturës se Hekurudhave të Kosovës ShA – INFRAKOS,  Ministrisë së Infrastrukturës, përfaqësuesve të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARH), përfaqësuesve të Operatorit Publik të Transportit Hekurudhor TRAINKOS, si dhe Operatorit Privat të Transportit Hekurudhor RAILTRANS.

Takimin e hapi Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të INFRAKOS-it z. Enis Berisha i cili i përshëndeti të pranishmit duke vlerësuar shumë lartë angazhimin e të gjitha institucioneve përgjegjëse  dhe kontributin e tyre për arritjen e një dokumenti final i cili do të jetë i pranueshëm për të gjitha palët e interesit. Të pranishmit në këtë takim pune i përshëndeti e dhe Drejtori i Departamentit të Transportit Tokësor në ministrinë e Infrastrukturës Z. Xhemë Veseli, Drejtori i Departamentit të Rregullimit të Tregut Hekurudhor z. Jakup Bellaqa, si dhe përfaqësuesit e operatorëve të transportit hekurudhor.

Prezantimi i ER 2021 u bë nga ana e përfaqësuesve të INFRAKOS-it duke e bërë të ditur se ky Ekspoze i Rrjetit është një dokument tërësisht i bazuar në Ligjin nr. 04/L-063 mbi Hekurudhat e Kosovës dhe në harmoni të plotë me Direktivat e BE-së (Direktivën 2012/34 UE dhe Rregulloren Zbatuese 2015/909 të Komisionit Evropian  mbi modalitetet për llogaritjen e kostos që është shkaktuar direkt si rezultat i shërbimit të operimit të trenit.

Në takim u diskutuan shumë çështje rreth Ekspozeut të Rrjetit 2021 nga përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrëse dhe në veçanti nga përfaqësuesit e operatorëve të transportit hekurudhor të cilët konstatuan se tarifat e përcaktuara për pagesën e qasjes në binarë janë shumë të larta dhe se nëse Ministria e infrastrukturës i miraton këto tarifa atëherë do të dëmtohet biznesi i operatorëve të transportit hekurudhor.

Sqarimet e INFRAKOS-it ishin se këto tarifa janë përcaktuar sipas kostos direkte të mirëmbajtjes ë infrastrukturës dhe se kjo kosto direkte duhet të mbulohet nga pagesat e qasjes në binarë, respektivisht nga pagesat të cilat duhet t’i bëjnë operatorët e transportit hekurudhor për shfrytëzimin e traseve hekurudhore  për transportin e udhëtarëve dhe mallrave. Për këtë arsye u kërkua që Ministria e Infrastrukturës të bënë nënshkrimin e Marrëveshjes financuare Pesëvjeçare me INFRAKOS-in ashtu që njëherë e përgjithmonë të zgjidhet çështja e financimit të INFRAKOS-it.

z. Veseli e sqaroj se MI-ja është duke punuar në drejtim të zgjidhjes së çështjes së financimit për INFRAKOS-in dhe se pas trajtimit të të gjitha komenteve do të organizohet takimi përfundimtar me të gjitha palët në mënyrë që të bëhet miratimi i ER 2021, respektivisht kapitulli i gjashtë i këtij dokumenti i cili ka të bëjë me pagesat e qasjes në binarë.

Takimi i sotëm ishte produktiv dhe në te u sqaruan shumë çështje të cilat janë të rëndësishme për përfundimin dhe zbatimin e më pastajmë  të këtij dokumenti strategjik për INFRAKOS-in. Pjesëmarrësit e takimit u pajtuan që në kohën sa më të shkurtër të mundshme të bëhet trajtimi i të gjitha vërejtjeve eventuale ashtu që në takimin radhës të arrihet pajtimi për miratimin e ER 2021.