Java për lirimin e hapësirave të uzurpuara të Hekurudhës në komunën e Prizrenit

Drejtuesit e Hekurudhave të Kosovës dhe ata të komunës së Prizrenit ditë më parë kanë mbajtur një konferencë për medie, për fillimin e realizimit të zbatimit të marrëveshjes për lirimin e trasës së Hekurudhës si dhe nga uzurpimet në komunën e Prizrenit.

Ndër pikat më të rëndësishme të kësaj marrëveshje është pika e 11-të ku komuna obligohet për lirimin e pronave të uzurpuara dhe largimin e objekteve tjera pa leje në hapësirat e Hekurudhës.

Në lidhje më këtë, java e kaluar si dhe kjo javë është filluar se zbatuari në praktikë marrëveshja nga Infrakos Sh.A dhe komuna e Prizrenit me ç’rast Inspektoriati i Komunës se Prizrenit ka filluar ekzekutimin për lirimin e këtyre pronave.

Kryeshefi ekzekutiv i Infrakos-it, Agron Thaçi, e ka përkrahur iniciativën e organeve kompetente për zbatimin e marrëveshjes në praktikë, dhe se organet kompetente komunale duhet të jenë të vetëdijshëm në largimin e pronave të uzurpuara, që më pas të bëhet revitalizimi i trases së Hekurudhës, për të vënë në funksion lëvizjen e trenave në Prizren sa më parë qe është e mundur në mbështetje me qeverinë e republikës së Kosovës.

 

Ai gjithashtu, ka përkujtuar se Hekurudhat janë aset kombëtar, gjë që është degraduar që nga paslufta, por me intensitet të shtuar degradimi ka ndodhur nga viti 2004 deri në vitin 2007. Sipas tij, trendi i degradimit të tyre ka qenë aq i madh sa që Hekurudhat janë bërë të pakalueshme për transport hekurudhor.

Sipas kryeshefit z. Thaçi, bëhet e ditur që Infrakos ka bërë dhjetëra kallëzime penale dhe padi të ndryshme në organet e drejtësisë për uzurpim të pronës për dëmtim të saj si pasuri kombëtare ndaj individëve dhe subjekteve të ndryshme, dhe se Infrakos-i pret që këto organe të thonë fjalën e vet në zbatim të ligjshmërisë duke konfrimuar që Hekurudhat e Kosovës kanë për qëllim që të krijoj parakushte për sjelljen e trenit të udhëtarëve në stacionin e Prizrenit, që do të qarkullonte me një shpejtësi optimale në bazë të rrethanave në teren.

Përfaqësuesit e Komunës Së Prizrenit, kanë konfirmuar zbatimin e marrëveshjes sipas hartimit të planit konkret për intervenim, ndërsa aksionet e para për lirimin e hapësirave të uzurpuara kanë filluar me datë 17 shtator , ku për një periudhë të caktuar do të intervenohet nga stacioni i trenit në Prizren deri tek kyçja në Autostradë.

Ndryshe, pas një denoncimi për uzurpim të pronës së saj në Prizren nga ana e Infrakos-it në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në muajin tetor të vitit të kaluar, kjo instancë e drejtësisë kishte marr vendim për masë të përkohshme, e cila kishte pezulluar Planin Zhvillimor Komunal dhe me këtë e kishte pamundësuar dhënien e lejeve të ndërtimit në gjithë territorin e Komunës së Prizrenit. Por, me 12 Qershor të këtij viti, ishte arritur marrëveshje mes komunës së Prizrenit dhe Infrakos-it për Pajtim Gjyqësor në Gjykatë, me ç‘rast ishte tërhequr padia dhe komuna e Prizrenit është zotuar për realizimin e obligimeve të dala nga takimet e mbajtura dhe të përcaktuara me këtë marrëveshje, ndërsa qytetarët prizrenas rifitonin prapë të drejtën për t’u pajisur me leje ndërtimore, nga e cila kishin qenë të privuar nga tetori i 2017-ës.