Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës Infrakos Sh.A rihap tunelin 6 dhe 7

Me datë 04.11.2023 përurohet hapja e tunelit 6 me gjatësi 262m dhe tunelit 7 me gjatësi 122m të cilët ishin plotësisht të shembur si dhe ri-hapja e linjës Hani i Elezit – Fushë Kosovë si segment i parë i linjës 10-të hekurudhore Hani i Elezit-Leshak.

Kryeshefi Krasniqi falënderoj pjesëmarrësit në këtë ceremoni, respektivisht Kryeministrin e Republikës se Kosovës z. Albin Kurtin, Ministren e Ekonomisë znj. Artane Rizvanolli, Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati, Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu,  për realizimin e këtij projekti jetik i cili lidh dy vendet fqinje nga lindja në perëndim ku pa përkrahjen e tyre ky projekt nuk do  të mund të realizohej  në këtë formë. Me tej z. Krasniqi theksoi se çdo  projekt i  madhe, natyrisht se përcillet  me sfida të mëdha por unë në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv ju siguroj se nuk do të zmbrapsemi nga sfidat e projekteve të tilla komplekse.

Po ashtu z. Krasniqi  falënderoj  përfaqësuesit të Zyrës së Bashkimit Evropian, përfaqësues të Fondit për Investime për Ballkanin Perëndimor (WBIF), përfaqësues të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), si dhe Bankës Europiane për Investime (EIB).

Rol të  rëndësishëm  në këtë projekt kanë edhe përfaqësuesit  e WBIF, EIB dhe EBRD të cilët jo vetëm që po na mbështesin financiarisht në këtë projekt, por në vazhdimësi ofrojnë edhe mbështetje konsulente për implementimin e projektit në pajtueshmëri me kërkesat dhe standardet e Bashkimit Evropian, trajnime të ndryshme në ngritjen e kapaciteteve njerëzore, andaj dua t’i falënderoj personalisht për rolin e tyre mbështetës, theksoj me tej Kryeshefi Ekzekutiv z. Krasniqi.

Kryeministri i Republikës se Kosovës z. Albin Kurti në këtë ceremoni rasti theksoi se Rehabilitimi i Linjës 10 të Hekurudhës parasheh 13 ura të reja dhe 7 tunele të rindërtuara. Sot përuruam dy tunele — njëri me gjatësi 262 metra dhe tjetri me gjatësi 122 metra — të cilët ishin të shembur tërësisht.

Me Linjën 10 edhe me hekurudhën Prishtinë-Durrës, po e bëjmë Kosovën pjesë të Rrjetit të Transportit Trans-Evropian. Lidhjet infrastrukturore po i forcojmë, zgjerojmë dhe modernizojmë. Me forcim, rriten shkëmbimet. Me zgjerim, rritet ndërlidhja, ndërkaq me modernizim, rritet shpejtësia. Këtu treni dikur mund të zhvillonte shpejtësi jo më shumë se sa 60 kilometra në orë. Me hekurudhën e re ai do të mund të udhëtojë me shpejtësi mbi 100 kilometra në orë. Ashtu siç po e shpejtojmë trenin, urojmë e besojmë që ky projekt do të shpejtojë rritjen dhe zhvillimin e Republikës.

Ministrja e Ekonomisë znj. Artane Rizvanolli theksoi se me rihapjen e tuneleve 6 dhe 7 si dhe rihapjen e linjës hekurudhore Hani i Elezit – Fushë Kosovë është arsye e dyfishtë t’i gëzohemi këtij përurimi, në njërën anë, po ndërtojmë infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin ekonomik të vendit, në anën tjetër, po kremtojmë punën e Ndërmarrjes Publike Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës – Infrakos, të cilën e mbikëqyrim në emër të Republikës.

Përtej përkrahjes që kemi dhënë deri më sot, së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës, jemi duke finalizuar marrëveshjen kornizë për financimin e infrastrukturës hekurudhore për 5 vitet e ardhshme. Me tej ministrja Rizvanolli shtoi se ky financim do të përcaktojë detyrimet e Qeverisë për të mbështetur operacionet dhe investimet kapitale në hekurudha moderne dhe të sigurta në Republikën tonë.

Ministrja Rizvanolli falënderoi edhe Bordin e Drejtorëve dhe menaxhmentin e lartë të Ndërmarrjes Publike Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës – Infrakos për përkushtimin e tyre për efikasitetin dhe efiçiencën e operimeve, për rritjen e të hyrave për 6 muaj mbi 23%, dhe arkëtimin e borxheve për mbi 34%, po ashtu falënderoi edhe Bashkimin Evropian, Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Bankën Evropiane për Investime, për mbështetjen e vazhdueshme në investimet kapitale.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës z. Liburn Aliu në këtë përurim theksoi se po punohet intensivisht për plotësimin e të gjithë elementëve të tjerë të nevojshëm për funksionalizimin dhe rehabilitimin e Linjës së 10-të Hekurudhore, që përfshin edhe linjat tjera si Fushë Kosovë – Mitrovicë dhe Mitrovicë Leshak.

Ministri z. Aliu, me tej falënderoi edhe Zyrën e Bashkimit Evropian dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), Bankën Evropiane për Investime (EIB), si dhe Fondin për Investime për Ballkanin Perëndimor (WBIF), për bashkëpunimin e vazhdueshëm për realizimin e projektit.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve z. Hekuran Murati ka bërë të ditur qe për vazhdimin e rindërtimit të Linjës se 10-të hekurudhore pritet qe t’i kemi  një kredie të butë me vlerë prej 38 milion euro nga Banka Evropiane Investive e cila shumë shpejt do të paraqitet në kuvend për ratifikim.

Qeveria e Republikës se Kosovës në bashkëpunim me partneret e Bashkimit Evropian si dhe me institucioneve financiare ndërkombëtare mbetën të përkushtuar qe edhe në vazhdimësi të përkrahin modernizimin e linjave hekurudhore me standarde evropiane.